LETËR ZYRTARE
Sugjerime për uljen e nivelit të Taksës së Tabelës
Baza ligjore:
- Ligji Nr. 9632 datë 30/10/2006 “Për Sistemin e Taksave Vendore” (i ndryshuar) [“Ligji Nr. 9632/2006”];
- Vendim Nr. 59 datë 30/12/2015 i Këshillit Bashkiak Tiranë (“Vendimi Nr. 59”)
I Nderuar z. Kryetar,
Në emër të Shoqatës “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, shoqatë e krijuar dhe e organizuar në mbrojtjen e të drejtave dhe përgjigjen ndaj kërkesave të subjekteve anëtare (më tej referuar si “Subjektet e interesuara”), Ju drejtohem me këtë Letër Zyrtare për t`iu parashtruar problematikën e konstatuar nga këto subjekte dhe për t`iu kërkuar njëkohësisht marrjen e masave dhe vënien në lëvizje të strukturave kompetente nga ana Juaj në gjetjen dhe ofrimin e rrugëve alternative për zgjidhjen e kësaj problematike, siç do ju parashtrojmë në vijim të kësaj Letre.
- Problematika – Taksa e Tabelës e përcaktuar në Ligjin Nr. 9632/2006 (i ndryshuar) dhe Vendimin nr. 59 datë 30/12/2015 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave vendore në qytetin e Tiranës”
Ju drejtohemi me këtë Letër Zyrtare për t`iu parashtruar vështirësinë financiare që po hasin, jo vetëm “Subjektet e interesuara” që ne përfaqësojmë por të gjitha bizneset shqiptare në përgjithësi në rang Republike, si tregtarë të shumicës dhe të pakicës, të cilët aktualisht paguajnë një tarife shumë të lartë të Taksës së Tabelës siç rezulton aktualisht e përcaktuar nga legjislacioni vendor në fuqi “Për Sistemin e Taksave vendore” [Ligji Nr. 9632/2006 (i ndryshuar)] dhe Vendimi Nr. 59 datë 30/12/2015 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.
Taksa e Tabelës, si një kategori e taksës vendore, që çdo subjekt fizik dhe juridik shqiptar apo i huaj (që ushtron aktivitet tregtar në Republikëne Shqipërsië) i paguan organeve të qeverisjes vendore varion aktualisht në vlera shumë të larta të përcaktuara sipas kategorive, siç është -1- Tabelë për qëllime identifikimi mbi 2 m2 – 45,000 lekë/m2 në vit (Qyteti Tiranë NJA-Dajt, Farkë, Kashar) ; -2- Tabelë për qëllime reklamimi e lëvizshme dhe e palëvizshme – për Bashkinë e Tiranës – 45,000 lekë/m2 në vit (tabelë e thjeshtë) dhe 90,000 lekë/m2 në vit (tabelë elektronike) ; -3-Tabelë në funskion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola etj – 1,000 lekë/m2 në vit.
Tabela për qëllime identifikimi, pavarësisht nga sipërfaqja, të trupëzuara në sipërfaqen e ndërtesës ose brenda territorit ku zhvillon aktivitet biznesi dhe që nuk përdoren për të reklamuar aktivitetin e të tretëve por ku vendoset emri dhe/ose lloji i aktivitetit të kompanisë ka qenë në masën 120 lekë/vit, ndërsa duke filluar nga 1 Janari i vitit 2016 kjo taksë është 375-fishuar duke u përcaktuar në masën 45’000 lekë/m2 për sipërfaqet mbi 2m2.
Për të sjellë një shembulli të thjeshtë dhe konkret, të gjitha fasadat e bareve, marketeve, qendrave të loguara me emrin e kompanisë apo emrin tregtar në brendësinë e tyre, përfshirë këtu dhe mjetet e transportit të cilat regjistrohen si njësi me vete dhe logohen për të identifikuar kompaninë së cilës i përkasin apo për të reklamuar mallrat dhe shërbimet që ofrohen prej tyre përballen aktualisht me një shumëfishim të papërballueshëm të Taksës së Tabelës.
Jo vetëm sa më sipër, por është dyfishuar gjithashtu dhe Taksa e Reklamimit Elektronik e cila është në vlerën prej 90’000 lekë/m2 në vit.
Këto tarifa të vendosura me Vendim të Këshillit Bashkiak rezultojnë të jenë shumë të larta dhe të papërballueshme për tregtarët e shumicës dhe të pakicës në vend dhe janë gjithashtu shumë herë më të larta në krahasim me Taksën e Tabelës që subjektet tregtare të vendeve fqinje të rajonit të Ballkanit u paguajnë autoriteteve (organeve) vendore. Për më tepër, si rrjedhojë e vendosjes së tarifës shumë të lartë të Taksës së Tabelës për tabela identifikuese dhe/ose reklamuese mbi 2m2, rreth gati 95% e subjekteve tregtare shqiptare dhe të huaja që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë, kanë zgjedhur të identifikohen dhe reklamohen në treg me tabela identifikuese/reklamuese me përmasa që nuk i kalojnë të 2m2 për të mos paguar asnjë tarife tek organe e pushtetit vendor, pa llogaritur këtu dhe numrin e subjekteve të cilat zgjedhin të mos identifikohen/reklamohen përmes tabelës për të shmangur çdo lloj përllogaritje arbitrare nga organet inspektuese të pushtetit vendor në lidhje me sipërfaqen reklamuese/identifikuese.
Baza e pretendimeve tona mbështetet dhe konkretizohet në tabelën e mëposhtme që reflekton se vendet fqinje të rajonit paguajnë për të njëjtin qëllim Taksën e Tabelës në nivele shumë më të ulta në krahasim me pagesën e të njëjtës në Republikën e Shqipërisë.
Rezulton se kjo taksë vendore e parashikuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi të jetë të paktën 130 herë më e lartë se në vendet fqinje jo-EU dhe 10 (dhjetë) herë më e lartë në vendet e zhvilluara Europiane nga taksa që paguajnë për të njëjtin qëllim bizneset në vendet e rajonit
Legjislacioni i Malit të Zi ka krijuar modelin e përshkallëzimit të kësaj takse, siç reflektohet dhe në tabelën e mësipërme; sa më të mëdha të jenë hapësirat reklamuese aq më e vogël është Taksa e Tabelës që subjekti i paguan organeve të pushtetit vendor.Në analizë të Tabelës së mësipërme, Taksa e Tabelës që aplikohet në vendet fqinje të Rajonit rezulton të jetë disa herë më e ulët në krahasim me Taksën e Tabelës që aplikohet në Republikën e Shqipërisë dhe në këto legjislacione janë përcaktuar gjithashtu kritere objektive në përllogaritjen e kësaj takse për të lehtësuar dhe ndihmuar subjektet tregtare që këto të fundit të identifikohen lehtësisht dhe të ndihen të lira të krijojnë e ndërtojnë modele të ndryshme të reklamimit të bizneseve të tyre, mallrave dhe shërbimeve në kushtet e një tregu të lirë dhe shumë konkurrues.
Në vendin tonë jo vetëm nuk janë ndërtuar modele të tilla, por gjithashtu është përdorur një logjikë jo e drejtë që përcakton të njëjtin nivel taksimi si në rastin e pagesës së Taksës së Tabelës për qëllim të vet identifikimit të subjektit (kryesisht të tabelave të llojit identifikues që u shërbejnë klientëve/konsumatorëve si tabela sinjalizuese të llojit të aktivitetit që ushtrohet nga këto subjekte për shembull “Market ——– ose Studio Ligjore —— ose Zyrë Kontabilitetit —- dhe të ngjashme me to) ashtu dhe në rastin e pagesës së kësaj takse për qëllim të reklamimit të mallrave dhe/ose shërbimeve që subjekti tregtar ofron në treg.
Nëse i referohemi një tablo-je krahasuese më të gjerë, sjellim në vëmendjen tuaj se kjo taksë është shumë herë më e lartë dhe në raport me vendet e tjera, pjesë e Bashkimit Europian si: Italia, e cilësuar si një nga vendet më të taksuara në Europë.
Në Itali, Taksa e Tabelës për qytetet me 400.000-1.000.000 banorë është 77 euro/m2 dhe sipërfaqe e matshme në përllogaritjen e taksës konsiderohet vetëm pjesa e tabelës së shkruar, që zakonisht është rreth 40% (dyzetë përqind) e sipërfaqes. Për gjithë sipërfaqen e tabelës, përfshirë dhe pjesën e pashkruar të saj, taksa rezulton të jetë rreth 32 euro/m2.
Italia ka ndërtuar në model tjetër të matshëm në llogaritjen e Taksës së Tabelës në bazë të numrit të popullsisë dhe të sipërfaqes së shkruar të tabelës identifikuese dhe/ose reklamuese.
Në Shqipëri, me të ardhura për frymë rreth 1/5 (një e pesta) e Italisë, Taksa e Tabelës është rreth 10 (dhjetë) herë më e lartë (45`000 lekë të barzvlefshme me rreth 320 euro/m2 në vendin tonë) kundrejt 32 euro/m2 në Itali.
Për shkak të rëndësisë së identifikimit dhe të promovimit të imazhit të çdo subjekti tregtar që ushtron aktivitet në Republikën e Shqipërisë dhe për t`i dhënë mundësinë dhe hapësirën të ndihet i lirë dhe të konkurrojë i barabartë në tregun përkatës të mallrave dhe të shërbimeve, Ne, përmes kësaj Letre Zyrtare dëshirojmë t`iu parashtrojmë sugjerimet tona si më poshtë duke i vlerësuar një mjet efikas dhe i domosdoshëm për tu dhënë frymëmarrje bizneseve në aspektin identifikues dhe reklamues të tyre.
- Opsioni Parë:
Ulja e nivelit të Taksës së Tabelës në të gjitha kategoritë e parashikuara në legjislacionin shqiptar duke vlerësuar në mënyrë objektive fluksin e madh të taksave me të cilat përballen subjektet tregtare dhe rëndësinë e identifikimit të çdo subjekti në tregun e mallrave dhe të shërbime.
- Opsioni i Dytë:
Rritja e shkallës së diskrecionit të organeve të pushtetit vendor në uljen e kësaj takse brenda një marzhi
[-30%] nga niveli aktual i përcaktuar në përputhje me kushtet e zhvillimit socila dhe ekonomik të çdo qyteti të Republikës së Shqipërisë.
Kjo është një e drejtë e përcaktuar jo vetëm në Kushtetutë (shkronja ç e pikës 1 të Nenit 113 të Kushtetutës sipas së cilës “Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut kanë te drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre”), por dhe në Ligin përkatës “Për sistemin e Taksave Vendore në Republikën e Shqipërisë” sipas së cilit organet vendore kanë të drejtë të ulin nivelin e taksës vendore me [-30%] për kategorinë e Taksës së Ndërtesës dhe të Taksës mbi Tokën Bujqësore [pika 3 e Nenit 21 të Ligjit 9632/2006 (i ndryshuar)].
Në sugjerimin tonë, ligji për taksën vendore duhet të aplikojë lehtësira dhe përjashtime të njëjta ose të ngjashme, në përputhje me llojin e taksës vendore, për të gjitha kategoritë e taksës vendore që aplikohen në Republikën e Shqipërisë pa dallime mes tyre.
- Opsioni i Tretë
Krijimi i modeleve alternative në përllogaritjen e Taksës së Tabelës siç janë përcaktuar në legjislacionin e Malit të Zi dhe të Italisë.
Në referencë dhe të këtyre legjislacioneve, një model që mund të aplikohej në vendin tonë është “modeli i përshkallëzimit” si model në bazë të së cilit sa më e madhe të jetë përmasa e tabelës reklamuese aq më vogël do të jetë pagesa e kësaj takse.
Ju lutem në vlerësimin e kësaj Letre dhe të sugjerimeve të ofruara të konsideroni rëndësinë e çdo subjekti për tu identifikuar dhe për të reklamuar mallrat dhe shërbimet e tij në treg.
Krijimi i këtij identiteti dhe dallueshmërie është pasaporta e çdo biznesi dhe vendosja e Taksave të Tabelës në nivele të tilla, nuk u lejon bizneseve të kryejnë biznes, të promovojnë imazhin, produketet dhe shërbimet e tyre, të ndërmarrin fushata të caktuara reklamuese/marketingu, të informojnë konsumatorin mbi risitë që ofron tregu, krijon një vaakum të përgjithshëm informimi duke mos përjashtuar dhe zvogëlimin e hapësirave të bizneseve të huaja që të vijnë dhe të kryejnë aktivitet tregtar në Shqipëri.
Duke besuar tek Ju dhe në vullnetin Tuaj për të bashkëpunuar me Ne në trajtimin e kësaj problematike,
Ju falenderojmë për kohën Tuaj dhe jemi të gatshëm e të hapur për çdo diskutim apo trajtim të mëtejshëm që Ju do e konsideroni të nevojshëm!
Me konsiderata,
Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”