Blog

10/06/2019

Leter e Hapur Komuniteti i Biznesit mbi ndryshimet ne Kodin Penal

                                                        LETËR E HAPUR

Mbi ndryshimet në Kodin Penal në fushën e Sigurisë Ushqimore

Drejtuar:       

Z. Ulsi MANJA, Kryetar

Komisioni për Çështjet  Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut

Z. Niko PELESHI, Kryetar

Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Z. Arben AHMETAJ, Kryetar

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

Z. Ermonela VALIKAJ (FELAJ), Kryetar

Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare

Në vëmëndje: Shkëlqesisë së Tij Z. Edi RAMA

Kryeminstër i Republikës së Shqipërisë

Znj.  Etilda GJONAJ

Ministër i Drejtësisë

Z. Eduard SHALSI

Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Z. Bledi ÇUÇI

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Për dijeni:     

Ambasador SH.T.Z. Bernd BORCHARDT

Kreu i Përfaqësisë së OSCE në Shqipëri

Ambasador SH.T.Z. Luigi SORECA

Kreu i Delagacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri

Ambasador SH.S.Znj. Leyla Moses – Ones

Ambasada e Shteteve te Bashkuara te Amerikes në Shqipëri

Ambasador SH.S. Znj. Christina VASAK

Ambasada e Republikës së Francës në Shqipëri

Ambasador SH.T.Z. Alberto CUTILLO

Ambasada e Republikës Italiane ne Shqipëri

Ambasador SH.T.Z. Johann Sattler

Ambasada e Republikës Austriake në Shqipëri

Ambasador SH.T.Z. Murat Ahmet Yörük

Ambasada e Republikës Turke në Shqipëri

Ambasador SH.S.Znj. Eleni Sourani

Ambasada Republikës Greke në Shqipëri

Referenca:       Draft-ligji “ Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin  NR. 7895, datë 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më datë 2 Maj 2019

Të nderuar Përfaqësues të Komisioneve Parlamentare,

Të nderuar Përfaqësues të Institucioneve në vend dhe Misioneve të huaja,

Komuniteti i biznesit, përfaqësuar nga dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, duke marrë shkasë nga nisma e fundit e nje grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, ju paraqet këtë letër të hapur në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal më saktësisht në sferën e sigurisë ushqimore.

Fillimisht dëshirojmë t’ju konfirmojmë se Siguria ushqimore është prioritet i komunitetit të biznesit të rregullt, i cili përditë përballet me subjekte/individë, të cilët nëpërmjet ofrimit të produkteve ushqimore të rrezikshme dëmtojnë shëndetin e qytetareve, por edhe shkelin me të dyja këmbët parimet e konkurueshmerisë në treg.

Ne si Përfaqësues të Komunitetit të Biznesit në vend, vërejmë disa problematika lidhur me Projekt-Ligjin në shqyrtim, të rendituara si me poshtë:

  1. Kodi Penal aktualisht në fuqi ka parashikime në nenin 288 dhe 288/a mbi produktet ushqimore. Shtrirjen e spektrit të dënimeve në këtë fushë dhe mënyrën e formulimit të neneve të reja (neni 288, 288/c, 288/d) e konsiderojmë si tepër shqetësuese për bizneset e rregullta,  pasi përfshin edhe një subjekt, i cili në morinë e transaksioneve mund t’i ndodhë një rast sporadik, (shembull çokollatë e skaduar) raste të cilat janë të parashikuara me legjislacion të posaçëm, ashtu edhe një subjekt i cili përpunon apo tregton sasi produkti të skaduar me dijeni dhe dashje.  Ky mosdallim në gjuhën e neneve krijon shmangie nga qëllimi dhe fryma e vërtetë e nismës mbi ndryshimet në Kodin Penal si “dënimi me burg i personave përgjegjës, të cilët ofrojnë produkte ushqimore me kimikate të rrezikshme, e përbërje tjetër nga sa lejuar”, mashtrojnë me produktet ushqimore etj.
  2. Nenet e reja nuk realizojnë një ndarje të saktë midis subjekteve. Prodhuesi, i cili me dashje, prodhon dhe më tej tregton produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin, do ta pasonte pjesërisht dhe/apo tërësisht fajin te distributori/tregtari, në rast se malli nuk do të gjendej në ambjentet e prodhuesit. Në një rast të tillë në përgjegjësi penale do të merrej distributori/ tregtari, pavarësisht se nuk kanë qënë pjesë e hallkave të prodhimit, por në pamundësi për të kontrolluar e testuar produktin (shembull fruta, perime etj), duke devijuar nga qëllimi i ligjit, pra ndëshkimi i atyre subjekteve, të cilët prodhojnë produkte të rrezikshme për shëndetin. 
  1. Përdorimi i termit “ruajtje” në Nenin 288/c lidhur me skadencat është tepër problematik, pasi të gjithë subjektet në vend kryejnë proçes asgjësimi të mallit të skaduar, proçes ky i cili ka një kohëzgjatje të caktuar, pasi duhet bërë inventarizimi i produkteve të skaduara dhe me pas njoftimi i 3 institucioneve (AKU, DPT dhe AKM) për të qënë pjesë e këtij proçesi. Sipas nenit 288/c KP ky mund të konsiderohet produkt në ruajtje duke sjellë automatikisht përgjegjësi për prodhuesin/distributorin/tregtarin edhe pse ky produkt nuk është i ofruar për shitje.
  1. Dënimi me burgim në rastin e vendosjes së etiketave jo të duhura si parashikim në Mashtrimin me produktet ushqimore. Në një rast të tillë, për shkak të volumeve mund të ketë gabime njerëzore si ngatërresë në vendosjen e etiketave produktit të duhur në magazina – gabime njerëzore, të cilat duhet të rregullohen përpara shitjes së produktit. Por, sipas parashikimit të Nenit 288/d do të konsiderohej vepër penale produkti në ruajtje, edhe pse ky produkt nuk është ofruar akoma te konsumatori final, gabime të cilat janë shumë larg abuzuesve të vërtetë, të cilët mashtrojnë me të dhënat e produkteve ushqimore.

Nisur nga këto problematika, ne si Përfaqësues të Komunitetit të Biznesit kërkojmë të merren në konsideratë propozimet e dhomave dhe organizatave të biznesit, të cilat janë depozituar pranë Komisionit për Çështjet  Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dhe të reflektohen në ri-hartimin e këtyre neneve, ku:

1. Të ndahen parashikimet e Nenit 288 në nene të veçanta, veçmas për prodhuesin dhe pjesën tjetër të zinxhirit tregtar ku të dallohen importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave të rrezikshme, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm.

2. Të rishikohet/fshihet termi ‘ruajtja’ në Nenin 288/c (Importimi, prodhimi dhe tregtimi i ushqimeve, pijeve, barnave dhe artikujve të tjerë ushqimorë jashtë afatit të përdorimit) dhe Nenin 288/d (Mashtrimi me produktet ushqimore).

3. Në varësi të situatës konkrete për gjykim, në lidhje me Nenin 288/c dhe Nenin 288/d duhet të përfshihet parashikimi i dënimit me gjobë fillimisht (parashikim i cili mungon) dhe më pas në rast përsëritje parashikimi i dënimit me burgim.

Duke theksuar edhe një herë mbeshtetjen tonë për këtë nismë për vetë rëndësinë që sfera e sigurisë  ushqimore ka për Ne si komunitet, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të merret koha e duhur për rishikimin dhe diskutimin e këtyre neneve (288, 288/c, 288/d) në draft-ligjin në fjalë.S

Publikime
About admin-btsh