14 Shtator 2016, Tirane
BASHKIMI TREGTARI SHQIPERISE
Kërkesë per Drejtorine se Pergjitheshme te Doganave për mos-aplikimin e tarifes se skanimit mbi deklaratat doganore te perpiluara për pullat e akcizës
Prezantimi i problematikës
Dëshirojmë të parashtrojmë problemin e evidentuar nga subjektet tregtare importues të mallrave subjekt i Akcizës.
Me Ligjin nr.74/2015 «Për miratimin e marreveshjeve ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive « S2 ALBANIA » shpk, dhe « RAPISCAN SYSTEMS», INC.…dhe operimin e sherbimit te skanimit te kontejnereve e automjeteve te tjera në Republiken e Shqiperisë, miratuar me Ligjin nr.123/2013», përkatësisht në nenin 2 të tij, është parashikuar aplikimi i tarifës për sherbimin e skanimit për çdo deklaratë doganore. Pra tarifa e skanimit aplikohet për importin apo eksportin e mallrave nëpërmjet deklaratave doganore. Konkretisht, subjektet e mëdha, të cilat në rastin tonë janë importues të produkteve subjekt i akcizes në vend, iu aplikohet tarifa e shërbimit të skanimit me vlerë 22 (njëzet e dy) euro për deklaratë doganore.
Gjate vitit 2016, Drejtoria e Pergjithshme e Doganave, nëpermjet shkresës së saj nr. 6097 datë 03.03.2016 miratoi “Manualin mbi zbatimin praktik të procedurave për eksportimin e përkohshëm të pullave të akcizës të qeverisë shqiptare dhe importimin e përkohshem të pullave të akcizes së shteteve të huaja” (referuar ketu si “Manual/i”).
Duke e vleresuar këtë Manual si pozitiv për mire-rregullimin dhe evidentimin e levizjes së pullave të akcizes, të cilat eksportohen dhe importohen përkohesisht në vend, dëshirojmë t’ju paraqesim shqetesimin apo problemin me të cilin hasen operatorët në vend.
Në praktike, shoqëritë importuese të produkteve të akcizës kryejnë eksport të përkohshem të pullave të akcizës të shtetit shqiptar pranë furnitoreve të tyre, prodhuesve të huaj, të cilat pulla i vendosen mallrave (pije, cigare, etj.) që do të importohen në Shqipëri në një periudhe të mëvonshme. Për efekt të manualit të sipër-përmendur, me qëllim evidentimin e saktë të pullave, është kërkuar përpilimi i një deklarate importi për pullat, përveç deklaratës së importit të mallit ku janë vendosur pullat. Pra, siç shihet, për një import malli paguhet tarifa e skanimit dy herë: (1) kur importohet malli i cili ka të vendosura pullat (me deklaratën e importimit të mallit) dhe (2) me deklaratën formale të “ri-importimit të pullave”, që bëhet të zbatim të manualit të sipër-përmendur.
Ligji 74/2015 nuk kërkon dhe nuk ka se si të kërkojë për efekt skanimi “ndarjen e pullës nga malli”. Manuali i sipër-përmendur gjithashtu nuk ka patur qëllim të vendosë dy tarifa skanimi në import: një për mallin dhe një për pullën që i është ngjitur nga prodhuesi. Pagesa e tarifës së skanimit për “ri-importimin e pullave” lidhet me faktin që manuali ka kërkuar deklaratë të veçantë importi për pullat për të patur një evidencë të saktë të lëvizjes dhe gjendjes së pullave. Kjo deklaratë nuk ka asnjë lidhje me tarifën e skanimit, por, organet doganore aplikojnë mekanikisht tarifën e skanimit për këto deklarata.
Megjthëse edhe vetë përpilimi i një deklarate të veçantë për ri-importimin e pullave (ndërkohë që bëhet deklarata e importit të mallit ku janë vendosur pullat), është një kosto shtesë administrative dhe financiare për bisnesin, bisnesi e ka pranuar një kosto të tillë pasi ajo i shërben përmirësimit të kontrollit dhe formalizimit, por fakti që aplikohet tarifë skanimi për deklaratën për “ri-importin e pullave”, në një kohë që paguhet tarifa e skanimit për deklaratën e importit të mallit ku janë vendosur pullat, është në kundërshtim me qëllimin dhe thelbin e ligjit dhe manualit të sipër-përmendur.
Në vijim po japim një shëmbull për të ilustruar rritjen fiktive të kostove të biznesit shqiptar, vetëm nga aplikimi i gabuar i kësaj tarife:
Perpara Manualit date 03.03.2016
Nr. Ngarkesave ne Vit (mesatar) per nje Shoqeri Importuese | Tarifa e Skanimit per Deklarate | Vlera vjetore e sherbimit te skanimit per nje Shoqeri Importuese |
600 | 22 euro | 13’200 euro |
PAS Manualit date 03.03.2016
Nr. Ngarkesave ne Vit (mesatar) per nje Shoqeri Importuese | Tarifa e Skanimit per Deklarate | Tarifa e Skanimit per Deklarate per Pullat e Akcizes se riimportuara | Vlera vjetore e sherbimit te skanimit per nje Shoqeri Importuese |
600 | 22 euro | 22 euro | 26’400 euro |
Pra pa asnjë sens ekonomik dhe bazë ligjore, krijohen kosto të konsiderueshme për bisneset formale vetëm nga një aplikim mekanik i dispozitave të manualit i cili ka patur si qëllim krijimin e një evidence të saktë për pullat fiskale. Në këto kushte manuali duhet të sanksionojë qartë se deklaratat e ri-importit të pullave kanë qëllim evidentimin e gjendjes dhje lëvizjes së pullave dhe për këto deklarata nuk aplikohet tarifë e vecantë skanimi, pasi kjo tarifë paguhet me importimin e mallrave ku pullat janë vendosur.
Si konkluzion, duke marrë në konsideratë se:
- Pulla e akcizës i bashkengjitet produktit, sipas metodologjive të percaktuara në ligj per secilin produkt akcize, dhe deklarata e ri-importit të pullave ka qëllim evidentimin e pullave, ndërsa tarifa e skanimit paguhet me deklaratën e importimit të mallit ku janë vendosur pullat, dhe nuk mund të paguhet dy here tarifë skanimi, kur në rastin më të mirë, maksimalisht mund të ketë vetëm një skanim;
- Subjektet që importojne produkte akcize, zakonisht operojnë me disa furnitor e produkte dhe lloje të ndryshme pullash akcize, dhe në këtë kontekst sasia e deklaratave është shumë më e lartë se numuri i deklaratave të importit të mallit, çka i rrit akoma më shumë artificialisht kostot për një mjet transporti;
- Dublimi i kesaj tarife nuk ka asnjë justifikim ekonomik dhe bazë ligjore, dhe si e tillë aplikimi i saj per here të dytë mbi të njejtin produk rezulton si një tarifë ndëshkuese pa asnjë arësye;
Bashkimi Tregtar i Shqipërisë kerkon ndryshimin e manualit apo çdo dispozite përkatëse, dhe të shprehet qartë fakti se deklaratat e “ri-importit të pullave të akcizës” kanë qëllim statistikor dhe evidence të pullave dhe për këto deklarata nuk aplikohet tarifa e shërbimit të skanimit, pasi ajo paguhet nëpërmjet deklaratave të importit të mallit ku janë vendosur pullat konform ligjit.
Baza Ligjore: | 1) Ligji nr.74/2015 miratuar më datë 09.07.2015 « Për miratimin e marreveshjeve ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive « S2 ALBANIA » shpk, dhe « RAPISCAN SYSTEMS», INC.………… dhe operimin e sherbimit te skanimit te kontejnereve e automjeteve te tjera ne Republiken e Shqiperise, miratuar me Ligjin nr.123/2013»;
2) “Manual mbi zbatimin praktik të procedurave për eksportimin e përkohshëm të pullave të akcizës të qeverisë shqiptare dhe importimin e përkohshem të pullave të akcizes së shteteve të huaja” përcjellë me shkresën nr. 6097 datë 03.03.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”
|