Tiranë, 1 Korrik 2016, ora 12:00
Hyrje
Më datë 18 Prill 2016, Ministria e Financave paraqiti te grupet e interesit më të mëdha në vend një projekt-paketë të thjeshtuar për proçedurat tatimore, një ndër aktet ligjore të rëndësishme për nga impakti për sipërmarrjen private në Shqipëri.
Perveç propozimeve, sugjerimeve e rekomandimeve individuale të bëra nga grupet e interesit si përfaqësues të sipërmarrësve në territore të ndryshme, apo industrive e segmenteve të veçanta të tregut, përkatësisht shoqatat dhe dhomat e tregtisë vendase e të huaja brënda datës 20 Qershor 2016, po këto me iniciativën e tyre vullnetare formalizuan një forum të përbashkët me qellim harmoninzimin e rekomadimeve dhe kërkesave të sipërmarrjes në rang vendi.
Ky Forum organizohet të punojë për projektligjin e procedurave tatimore, e më tej të vijojë aktivitetin me proçesin e konsultimit dhe rekomandimeve të sipërmarrësve për paketën fiskale 2017, si dhe projektligje të tjera që kanë impakt të gjerë në aktivitetin tregtar në vend.
Çështjet e ngritura nga kjo Konferencë
Më datë 1 korrik 2016, Forumi i Përbashkët i Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatave të sipërmarrjes, pasi u konsultua me të gjithë grupet e interesit, paraqiti për herë të parë në mënyrë të unifikuar propozimet për shtesat dhe ndryshimet ne projektligjin për procedurat tatimore ne RSH.
Në mënyrë të përmbledhur, kërkesat e përbashkëta të dala nga ky Forum dhe drejtuar ekzekutivit kanë të bëjne me:
- Kërkojmë që të krijohet Ombutsmani i sipërmarrjes i propozuar nga komuniteti i biznesit;
- Kërkojmë të riformatohet Bordi i Apelimit i cili do të ketë pjesëmarrje me rreth 50 % anëtarë të propozuar nga sipërmarrja;
- Kërkojmë që mënyra e komunikimit të administratës tatimore të vazhdojë të jetë nëpërmjet postës duke marrë për bazë datën e dorëzimit të njoftimeve nga kjo e fundit;
- Kërkojmë që kalimi i shoqërive në rregjistrin pasiv në rast se ato nuk kanë më aktivitet të bëhet në mënyrë automatike por ndryshimi është se nga momenti i kalimit pasiv nuk duhet të paguajnë gjoba dhe interesa pa ju shmangur detyrimit tatimore të gjeneruara deri në marrjen e këtij statusi;
- Kërkojmë që të ndryshojë afati i rikontrollit tatimor dhe njoftimi paraprak për rikontroll;
- Kërkojmë që pagesa e detyrimit tatimor në rast apelimi të shtyhet deri në përfundim të apelimit dhe marrjes së vendimit të formës së prerë;
- Kërkojme uljen e gjobave për mosdeklarim;
- Kërkojmë të vendosen sanksione për punonjësit e administratës tatimore të cilët marrin vendime të gabuara me ose pa dashje, të cilat çojnë në krijimin e dëmit ekonomik te sipermarrja. Nëse kjo provohet, punonjësi/t e organeve tatimore gjobiten me dëmshpërblim deri në 30% të vlerës së dëmit të shkaktuar;
- Kërkojmë që në rastin e pagesës së detyrimeve tatimore me këste sipas një marrëveshje, të procedohet, si më poshtë:
- Parapagim në masën 10 % dhe jo 30 %;
- Mos aplikim i gjobave dhe kamatave por vetëm të një interesi sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë;
- Shtrirja e pagesave jo më pak se 1 vit dhe jo me shumë se 2 vjet;
- Kërkojmë të konsultohemi paraprakisht dhe përgjatë proçesit të miratimit për çdo ligj, vkm dhe udhëzim, të cilat prekin interesat e sipermarrjes;
- Kërkojmë që për faturat tatimore të leshuara nga subjektet private, qe nuk sjellin efekte financiare për DPT dhe që janë vetëm gabime teknike, të penalizohen gjoba me 10% të faturës por jo më shumë se 1.000 lekë;
- Kërkojmë që gjobat për biznesin e vogël të bëhet me disa faza:
- Njoftim këshillimi;
- Më pas përshkallëzim gjobë në proporcion me shkeljen;
- Moslëshimi i kuponit tatimor të jetë 5000 lekë (biznesi i madh 10.000 lekë);
- Kontrolli i befasishëm me distancë 90 ditë, përveç rasteve të shkeljeve flagrante.