Blog

06/11/2015

Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” i shpreh Kryeministrit Z. Edi Rama, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë shqetësime e sugjerime lidhur me Ligjin 99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për procedurat tatimore ne Republikën e Shqipërisë”.

Tiranë, më 6 Nëntor, 2015

Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” i shpreh Kryeministrit Z. Edi Rama, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë shqetësime e sugjerime lidhur me Ligjin 99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për procedurat tatimore ne Republikën e Shqipërisë”.

 

Nëpërmjet kësaj ndajmë me Ju disa probleme që krijojnë shqetësime në radhët e kompanive të mëdha e serioze, që punësojnë një numër të madh punonjësish, që janë kontribues të rëndësishëm në pagimin e taksave e që e bazojnë aktivitetin e tyre tek puna e ndershme dhe respektimi i rregullave.

Shqetësimet tona lidhen kryesisht me dispozitat e Ligjit 99/2015 për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore, veçanërisht me nivelin e dënimeve administrative e penale, me mungesën e kritereve të sakta për përcaktimin e shkeljeve dhe për identifikimin e  penalizimin e personave përgjegjës që i kanë shkaktuar ato.

Vërejtjet dhe rekomandimet tona të përgjithshme për këto dispozita janë:

  • Gjobat duhet të përshkallëzohen, në varësi të shkeljes, përgjegjësive, historikut të tatimpaguesit në plotësimin e detyrimeve tatimore, madhësisë dhe mundësive reale financiare dhe pasurore të tatimpaguesit. , të respektohet parimi i proporcionalitetit, duke e lidhur masën e gjobës me nivelin e shkeljes, dëmin e shkaktuar etj. Kodi i Procedurave Administrative, neni 11 (Parimi i barazisë dhe i proporcionalitetit), paragrafi 2, sanksionon:”2. Veprimet e administratës publike, …, duhet gjithsesi të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe të mos cënojnë thelbin e lirive dhe të drejtave. Kjo do të thotë që veprimet e administratës publike duhet të jenë të tilla që qëllimi i kërkuar të realizohet me masa sa më pak represive, pa kompromentuar efektivitetin e tyre.”
  • Të përcaktohen kritere që ndajnë rastet e evazionit të qëllimshëm të tatimpaguesit nga gabimet padashje dhe gabimet e punonjësve. Në biznese të mëdha e të rregullta, megjithëse punonjësit instruktohen e trajnohen nga kompania për proceset e punës, me qëllim zbatimin e ligjeve e rregullave, mund të ndodhë që punonjësi gabimisht (për shkak të pakujdesive) ose me dashje (me qëllim vjedhje) të mos lëshojë kuponin e kasës ose faturën tatimore. Këto raste, kur tatimpaguesi (kompania) nuk ka dijeni për shkeljet e punonjësve, nuk duhet të konsiderohen evazion tatimor per kompaninë dhe të penalizohen si të tilla, por mund të sistemohen duke marrë masat e duhura ndaj punonjësit që kryen shkeljen, duke paguar detyrimet ndaj shtetit, përfshirë gjobat dhe interesat për pagesë të vonuar të tatimit.
  • Për rastet e shkeljeve që kallëzohen penalisht duhet të ketë kritere të qarta për përcaktimin e shkeljeve, të përgjigjesisë si dhe të vlerës së dëmit të shkaktuar në buxhetin e shtetit.

Në vijim po paraqesim më konkretisht dispozitat e Ligjit të Procedurave Tatimore që kanë nevoje të sqarohen në Udhëzimin e Ministrit të Financave apo të amendohen ne Ligj:

  1. Neni 121, Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore. Në bazë të kësaj dispozite, tatimpaguesi që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me konfiskim të  të  gjithë  sasisë  së  mallit  që  mbahej  në  ruajtje,  përdorej  apo transportohej i pashoqëruar me dokumente tatimore. Për tatimpaguesit e shitjeve me shumicë, përveç konfiskimit të mallit, i bëhet një rivlerësim i të ardhurave për një periudhë 6 mujore dhe aplikohet dhe një gjobë prej 10 milionë lekë. Siç shihet, jepen tre dënime shumë të larta për të njejtën shkelje dhe për shkelje të përsëritura, tatimpaguesi kallëzohet penalisht.

Në Udhëzimin e Ministrit të Financave duhet të përcaktohen kritere, duke ndarë qartë rastet e mëposhtme:

  1. diferenca inventari që rezultojnë për shkak të gabimeve e pakujdesive. Në shumë biznese të mëdha, në magazinat deri me mijëra artikuj apo në supermarkete e hipermarkete ndodh shpesh që, për shkak të pakujdesive apo gabimeve me dashje për arsye përvetësimi nga punonjësit, vjedhjeve nga klientët etj., mund të krijohen diferenca inventari. Në raste të tilla duhet të jepen kritere të qarta në Udhëzim dhe të lejohen kompensimet ose diferencat, psh deri në 10% të vlerës së inventarit, sigurisht pa cënuar detyrimet tatimore, por duke eleminuar gjobat e penalitetet.
  2. mallrat pa asnjë dokumentacion, pra të prodhuara dhe furnizuara kontrabandë. Për këto duhet të aplikohen masat përkatese ndëshkimore sipas përgjegjësisë dhe vlerës së dëmit.

Të njejtat rregulla duhet të zbatohen edhe në dogana duke dalluar diferencat e mosperputhjet për shkak të gabimeve nga rastet e kontrabandës.

  1. Neni 122 “Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale…” Gjoba për mos lëshimin e kuponit tatimor është rritur në 500.000 lekë për cdo rast (përveç detyrimit dhe një gjobe sa 100% e detyrimit). Pra aplikohen dy gjoba shumë të larta për të njëjtën shkelje. Për rastet e përsëtitura, tatimpaguesi kallëzohet penalisht. Në rrjetet e shitjes me pakicë, në supermarkete, hipermarkete apo tek distributorët, mund të ndodhë në ndonjë rast që punonjësit, me ose pa dashje, të mos shtypin kasën. Kushtet e papërcaktuara bëjnë që gjoba të zbatohet për tatimpaguesin edhe për gabime me ose pa dashje nga punonjësit, në një kohë që përgjegjësia nuk është e kompanisë/tatimpaguesit. Mendojmë që duhen përcaktuar kritere më të qarta për përcaktimin e shkeljes, duke ruajtur proporcionalitetin dhe duke konsideruar edhe kallëzimin penal kur provohet se ka fshehje të qëllimshme të detyrimeve tatimore ose mallra kontrabandë (pa dokumentacion) mbi një vlerë të caktuar.
  2. Neni 124 “Kundërvajtjet në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve”. Paragrafi 2 i këtij neni parashikon dënimet për moslëshim fature tatimore nga tatimpaguesi që shet mallra me shumicë. Dënimi përfshin: (a) një gjobë prej 100% të detyrimit të padeklaruar ose të papaguar si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimit tatimor dhe interesave (b) rivlerësim të të ardhurave për një periudhë 6 mujore, dhe (c) një gjobë fikse prej 10 milionë lekë. Siç shihet, për të njejtën shkelje jepen tre dënime të rënda njëkohësisht dhe nuk parashikohet asnjë mënyrë mbrojtje e tatimpaguesit për rastet kur moslëshimi i faturës lidhet me shkaqe që nuk varen nga tatimpaguesi. Në rastin e distributorëve të mëdhenj, faturat për furnizimet me shumicë të bisneseve lëshohen nga agjentët shitës. Ka distributorë që kanë me dhjetra apo qindra agjentë shitës dhe që lëshojnë me mijëra fatura tatimore në ditë. Mund të ndodhë që për arësye të ndryshme si pakujdesi, vjedhje, etj., agjenti shitës të mos lëshojë faturë shitje per mallin ose kupon te kasës per paratë e arkëtuara cash. Tatimpaguesi në këtë rast jo vetëm që vidhet nga punonjësi, por duhet të përballojë edhe dënimet e mësipërme, madje edhe mund të kallëzohet penalisht. Në një shkelje të tillë mund të aplikohej vetëm pagesa e detyrimit, interesave dhe gjobës sa 100% e detyrimit, por jo dy dënimet e tjera: rivlerësimi i të ardhurave për 6 muaj dhe gjoba fikse prej 10 milionë lekë.

Ne i konsultuam këto probleme edhe me ekspertë fiskalë vendas dhe të huaj dhe konkluduam se, krahasuar me shtete të tjera të rajonit dhe më gjërë, dënimet e parashikuara në Ligjin 99/2015 janë shumë më të rënda në Shqipëri, e për më tepër, ka paqartësi në përcaktimin e shkeljeve. Ajo që konstatojmë nga eksperiencat botërore është se gjobat përgjithësisht janë të lidhura me detyrimin e pa paguar (dëmin e shkaktuar), ndersa gjobat fikse janë të përshkallëzuara. Në shumicën e rasteve, ndjekja penale aplikohet vetëm për shkelje të rënda të qëllimshm,e me pasojë dëme të konsiderueshme fiskale.

BTSH shpreh gadishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për përmirësimin e këtyre dispozitave.

Me besimin që vërejtjet dhe sugjerimet tona do të konsiderohen,

Me Respekt,

Bordi Drejtues

Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”

 

Publikime
About admin-btsh